Daja para ndeshjes me Cluj: S`jemi favorit për grupin, por masim forcat

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja e di se skuadra që e drejton nuk është favorite për ta kaluar grupin në Conference League, por ai ka thënë se ekipi do të luajë për t`i matur forcat.

Daja ka folur në një konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes. 
“Jemi krenar që përfaqësojmë futbollin e Kosovës, kemi më shumë përgjegjësi. Natyrshëm që skuadrat e tjera në këtë fazë janë më favoritë se Ballkani prej eksperiencës, por ne do të provojmë t’ia dalim dhe do të masim forcat së pari me një skuadër si CFR Cluj. Shpresojmë që nesër të kemi motivin që të arrijmë maksimumin. Duhet ta cekim se nuk jemi favoritë për ta kaluar grupin. Ajo çka mund të them është se nuk do të luajmë sa për t’i kaluar ndeshjet. Atje do të shkojmë për t’i matur forcat”, ka thënë ai. 

Trajneri shqiptar është ndalur edhe te mungesa e kapitenit Kuç. “Edvin Kuç do të mungojë nesër në ndeshjen ndaj Cluj. Do të jetë një mungesë e rëndësishme, pasi, pos si kapiten, Kuç është i rëndësishëm edhe në aspektet e tjera të ndeshjes. Do të mundohemi që mungesa e tij të mos vërehet. Pjesa tjetër e skuadrës është gati”, ka thënë daja, duke ftuar tifozërinë për mbështjetje. 

Ndërsa futbollisti Lumbardh Dellova ka thënë se skuadra është përgatitur për ndeshjen. “Jemi munduar që të përgatitemi maksimalisht për ndeshjen ndaj Cluj. Jemi mësuar me emocionet, nuk jemi të ngarkuar emocionalisht, nuk besoj se do të kemi ndonjë problem në këtë aspekt”, ka thënë ai. “Duke marrë parasysh që kundërshtari ka traditë në këtë nivel të garave, ne jemi përgatitur maksimalisht dhe do ta japim më të mirën të gjithë të fokusohemi në ndeshje dhe të kërkojmë rezultat pozitiv”.

Ndeshja Ballkani dhe Cluj do të zhvillohet nesër.