Raporti i SHKK-së: 20 veta iu vërsulën Ekrem Rexhepit, ndërhynë gardianët për ta shpëtuar

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar se i burgosuri për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, Ekrem Rexhepi është sulmuar në qendrën e paraburgimit. Por, ndryshe thuhet në një dokument intern të këtij institucioni.

Sipas raportit zyrtar, 20 të paraburgosur i janë vërsulur Ekrem Rexhepit për ta rrahur dhe është dashur ndërhyrja e gardianëve për ta shpëtuar atë. Raporti informon se gardianët kanë larguar me shpejtësi Rexhepin nga shëtitorja për në qelinë e tij.

Të paraburgosurit kanë deklaruar se nuk duan ta shohin duke shëtitur me ta, për shkak të veprës penale, që po dyshohet se e ka kryer, dhunim i të miturës.

“Të gjithë  të paraburgosurit që gjendeshin në shëtitjen, gjithsej 20 të paraburgosur kanë tentuar të njëjtin ta sulmojnë fizikisht dhe falë ndërhyrjes së shpejt të stafit i njëjti është tërhequr nga shëtitorja dhe kthyer në dhomë”, thuhet në raport, raporton Insajderi. 

“Arsyetimet e të paraburgosurve ishin se personin (Ekrem Rexhepin) nuk e dëshirojnë në shëtitje duke përmendur veprën që akuzohet, poashtu sipas informatave konfidente që posedojmë, se i paraburgosuri, Ekrem Rexhepi është i pa dëshiruar nga të gjithë të paraburgosurit e tjerë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në raportin e SHKK-së.

“Bazuar në të cekurat më lartë, kërkojë që i paraburgosuri të transferohet në ndonjë qendër tjetër për shkaqe sigurie dhe të vet të paraburgosurit në fjalë”, theksohet në fund të kërkesës.

Kërkesë për ndryshimin e qendrës së paraburgimit nga Prishtina i është dërguar Haki Maxharrajt, drejtorit të qendrës së paraburgimit në Prishtinë, Sami Halitit, zëvendësdrejtorit dhe Ferat Bytyqit, udhëheqës nga ana e Skënder Sopjanit, mbikëqyrës i Lartë për Siguri.

Ndërkohë, Ekrem Rexhepi nga Prishtina është transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.