Dje pasdite, burrit që jeton dhe vepron në Zvicër, i kishte shkuar një lajm i rëndë. Dhjetëra mijëra eurot që i kishte fshehur në dhomën e gjumit në banesën në Prizren ishin zhdukur pa gjurmë, raporton Gazeta Sinjali.
Në banesën në të cilën ka qasje gruaja e cila e mirëmban atë, nuk kishte shenja të hyrjes me forcë nga persona të panjohur. Mirëpo ajo e kishte njoftuar pronarin se kur kishte shkuar dje në banesë, dera e hyrjes nuk ka qenë e mbyllur me çelës, çka ka ngritur dyshimet te mërgimtari se banesa e tij ka mundur të ketë qenë cak i hajnave.
Shërbyesja nuk i kishte gjetur as paratë për të cilat u porosit që t’i kontrollonte në vendin ku i kishte fshehur pronari i banesës.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për rreth 30 mijë euro para të gatshme, të cilat fillimisht u mendua se janë marrë nga persona të panjohur. Por në kuadër të zhvillimeve hetimore, është zbuluar se ato janë marrë me plan nga bashkëshortja e ankuesit.
Mirëmbajtësja e banesës ka deklaruar në Polici se e zonja e shtëpisë ka kërkuar nga ajo që paratë në fjalë t’i marrë dhe t’i fshehë në një vend të caktuar. Sipas saj, ajo ishte udhëzuar që rastin ta denoncojë në Polici, gjoja se paratë janë vjedhur nga hajnat.
Njësitë policore kanë kryer kontrolle në banesën e ankuesit, ku kanë arritur që të gjejnë rreth 16 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër nuk dihet se ku është.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të vijë nga Zvicra në Kosovë bashkëshortja e mërgimtarit.