Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka publikuar sot një video në Facebook, në të cilën shihen disa persona duke transportuar armë të gjata në Mitrovicën Veriore në natën ndërmjet 31 korrikut e 1 gushtit, me rastin e hyrjes në zbatim të reciprocitetit ndaj dokumenteve dhe targave të lëshuara nga Serbia.
Sveçla ka thënë se e vërteta është se mes 31 korrikut dhe 1 gushtit në Mitrovicën e Veriut u shpërndanë armë të gjata derisa Policia e Kosovës u sulmua me municion vdekjeprurës dhe se janë duke u bërë hetime intensive për këto çështje.
“Ne në vazhdimësi kemi thënë që të gjitha grupet të cilat janë të organizuara në drejtim të luftimit të shtrirjes së sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit territorial të institucioneve të Kosovës, jo vetëm se janë të cytura, por janë edhe të financuara e të udhëhequra nga Vuçiq dhe qeveria e Serbisë. Dhe kemi dëshmi për prezencë të grupeve të armatosura, të uniformuara me maska në natën e 31 korrikut. Institucionet tona janë të përkushtuara që t’i identifikojnë të gjithë ata. Është hera e parë që edhe vetë presidenti i Serbisë konfirmon një gjë të cilën ne e kemi thënë para një kohe”, ka thënë Sveçla.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot në Kuvendin e Serbisë ka pranuar publikisht se ato ditë në veri ishin shfaqur disa grupe të armatosura e të uniformuara për “mbrojtjen e serbëve në veri”.
“Deklarimet dhe veprimet e Serbisë të cilat na i kujtojnë fund-vitet e 80-ta dhe 90-ta të shekullit të kaluar”, ka thënë Sveçla.