Rrëmbimet, detyrimet e maltretimet janë ndër rastet mjaft të frikshme që cenojnë sigurinë publike pasi po ndodhiN në pikë të ditës, kur rrugët janë të mbushura me qytetarë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, ku një i ri u keqtrajtua nga disa persona.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e paradites të së martës, kur viktima ishte ndaluar nga tre persona, të cilët e detyruan të futej me forcë në veturën e tij dhe më pas e dërguan diku në një mal. Atje, përveç që u sulmua fizikisht, edhe u kërcënua nga të dyshuarit.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ky është rrëfimi i tij, i dhënë para hetuesve policorë, ku i shqetësuar ka treguar se si të dyshuarit e zhveshën, ia morën paratë dhe e keqtrajtuan duke e rrahur.
Për motive ende të panjohura, ata dyshohet se e mbajtën të riun për disa orë dhe më pas e lanë diku në një rrugë, por me një paralajmërim. Të dyshuarit kishin disa fjalë për viktimën, në rast se i denoncon. “Me na i përmend emrat, nanën kam me ta mbytë”, dyshohet t’i ketë thënë njëri.
Përballë kësaj situate, viktima kishte vendosur ta denoncojë rastin në Polici dhe të kërkojë ndihmë para se t’i ndodhë diçka edhe më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Detyrim” dhe kanë nisur hetimet për kapjen e personave të dyshuar.