Ky do të jetë formacioni i Kosovës ndaj Irlandës Veriore

Tashmë kanë mbetur më pak se dy orë para se Kombëtarja e Kosovës të nis përballjen ndaj Irlandës Veriore, në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” duan vetëm rezultat pozitiv ndaj Irlandës Veriore, në mënyrë që të sigurojnë pozitën e dytë në tabelë, pasi Greqia ka siguruar avancimin si lider në grup.

Gazeta Nacionale me burime pranë Kombëtares merr vesh që formacioni do të jetë klasik 4-3-3, që është përdorur edhe në ndeshjet e kaluara.

Në portë, do të jetë ‘gardiani’ Arijanet Muric, derisa “zemra” e mbrojtjes e ndërtuar nga Fidan Aliti dhe Betim Fazliji. Amir Rrahmani pra mungon shkaku i lëndimit, derisa Mirlind Kryeziu është i suspenduar.

Në krahët e mbrojtjes, Donat Rrudhani pra kthehet në pozitën e majtë, derisa në të djathtën pas një mungese të madhe rikthehet si titullar Florent Hadërgjonaj.

Për mesfushë, Alain Giresse ka vendosur me Ibrahim Dreseviq pranë Florent Muslijës dhe Bersant Celinës.

Kurse, në aspektin ofensivë, Milot Rashica do të bashkëpunojë me Elbasan Rashanin dhe Vedat Muriqin, i cili do t’i prijë sulmit.

Formacioni i plotë: Muric; Rrudhani, Aliti, Fazliji, Hadërgjonaj; Dreseviq, Muslija, Celina; Rashani, Muriqi, Rashica.