Kampioni i dyfishtë i Kosovës në basketboll, Ylli, ka arritur marrëveshje me një lojtar të cilin e kishte paralajmëruar në stinorin e kaluar, Rashun Davis.
Suharekasit e kishin paralajmëruar Davisin në korrik të vitit të kaluar, por ai kishte nisur stinorin te Sloboda e Tuzlës, për ta vazhduar pjesën e dytë të stinorit te Szedeaku hungarez.
“Ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me Rashun Davis i cili së fundmi ka luajtur tek SZTE Szedeák të Hungarisë,” ka shkruar shkurt njoftimi i KB Yllit.
E Davis, përgjatë stinorit të kaluar te Sloboda ka pasur mesatare prej 31.9 minutash për ndeshje, 14.6 pikësh, 3.4 asistimesh dhe 3.6 kërcime.
Në pjesën e dytë të stinorit, Davis në Hungari me Szedeakun ka pasur mesatarisht 26.4 minuta për ndeshje, ndërsa ka shënuar 15.9 pikë për lojë, 2.2 asistime dhe 2.3 kërcime.
Davis gjatë karrierës së tij luajti te skuadrat si: Radford University, MBK Lucenec, Rogaska, Kaposvari dhe Siroki.