Njësia e Antidrogës në Policinë e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion në Prizren e Suharekë, që ka rezultuar me konfiskimin e një sasi të substancës narkotike marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar, që ishte objekt i hetimet për kultivim të këtyre bimëve dhe shitblerje të substancave të tilla, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në dy lokacione, në Prizren e Suharekë dhe është kapur personi i dyshuar me inicialet L.Q.
Në dy vendbanimet ku është zhvilluar bastisja, gjatë kontrollit policor janë gjetur dhe sekuestruar rreth 10 qese me marihuanë, pajisje për kultivimin e këtyre substancave, si dhe disa telefona që do të shërbejnë si prova në hetimin e mëtutjeshëm të rastit.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari që është arrestuar, u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë për veprat për të cilat ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal së bashku me provat e konfiskuara gjatë kontrollit policor në dy lokacionet ku u zhvilluar aksioni.