I fejuar, zyrtar në Eurosig- Detaje se kush është dhunuesi i dyshuar që tronditi Pejën

Një video e publikuar nga alpinistja e njohur kosovare, Mrika Nikqi tronditi jo vetëm qytetin nga ajo vjen, Pejën por edhe të gjithë Kosovën. Në video shihet një person i cili e sulmon seksualisht të njëjtën. Insajderi, nga burime të sigurta merr vesh se personi i dyshuar është Flori Beqiraj.

Beqirajt tashmë i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë, pas ngjarjes që ndodhi me datë 27 të këtij muaji. 

Por, kush është Flori Beqiraj?

I dyshuari që sulmoi seksualisht alpinisten, studimet i kreu në Universitetin Publik të komunës së Pejës “Haxhi Zeka”.

Drejtimi në të cilin përfundoi studimet ishte “Kontabilitet dhe Financa”. 

Më pas, i dyshuari për sulmin seksual u punësua si zyrtar në kompaninë e sigurimeve “Eurosig” poashtu në Pejë. 

Në gusht të këtij viti, Beqiraj gjithashtu u fejua, kjo konfirmohet nga fotografitë që i njëjti ka në rrjetin social facebook. 

Çka “e lidh” Beqirajn me Nikqin, është fakti se të dy merren me alpinizëm.

Sipas burimeve të Insajderit, ai rrjedh nga një familje e respektuar dhe mjaft e njohur në qytetin e Pejës.

Mrika Nikqi, përmes një postimi në facebook njoftoi se me datë 27 të këtij muaji ishte sulmuar seksualisht, por e njëjta nuk kishte dhënë detaje se kush ishte i dyshuari që ishte kapur nga policia e Kosovës.