Pas një aksidenti trafiku që ka ndodhur të dielën në Samadraxhë të Suharekës, që dyshohet se u shkaktua nga një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, i cili ka goditur afër vendkalimit për këmbësor një fëmijë të moshës 14-vjeçare, ka reaguar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Gazeta Sinjali ka raportuar se i dyshuar për këtë aksident është Dibran Morina nga Rahoveci.

Në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës thuhet se dje në orët e mbrëmjes janë informuar se në rrethinën e Suharekës ka ndodhur një aksident i trafikut ku në aksident është i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare.

Sipas IPK-së pas pranimit të kësaj informate, menjëherë i janë përgjigjur rastit përderisa personi i lënduar në këtë aksident është dërguar për tretman mjekësor.

“Zyrtari policor është suspenduar përkohësisht përderisa rasti sipas urdhrit të Prokurorit do të trajtohet sipas procedurës së rregullt”, njofton IPK-ja.

Më tej në njoftim thuhet se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

TE FUNDIT