Një rast jo fort i zakonshëm është denoncuar në Policinë e Prizrenit nga një i mitur, i cili e ka raportuar nënën e tij për braktisje dhe për pasojë ai pretendon se është detyruar të kryej vjedhje për çka sot po e vuan dënimin, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Prokuroria Themelore në Priren ka nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës” ndaj të dyshuarës V.G., 37-vjeçare.
Sipas informacioneve të para, i mituri është i moshës 14-vjeçare, i cili ja deklaruar se për shkak të moskujdesit nga nëna e tij, ai është bërë “hajn” dhe ka kryer disa vjedhje, për të cilat sot gjendet në burg.
Sinjali mëson se nëna e tij është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë, me ç’rast ka dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet pas denoncimit të të birit.
Ndryshe sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Prindi, prindi adoptues, kujdestari apo personi tjetër që ushtron autoritet prindëror mbi fëmijën, i cili keqtrajton fëmijën e tillë duke përdorur masa fizike apo mendore ose shkel detyrimin e tij për përkujdesje dhe edukim të fëmijës, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.”