Ka shumë raste kur çiftet kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë prej tyre nuk i lënë rehat ish-partnerët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Suharekë, por këtë herë një person ka kanosur ish gruan e djalit, të cilës i ka nxjerrë telashe me familjen e të fejuarit të saj. Burimet nga Prokuroria thonë se një 26-vjeçare e ka denoncuar ish-vjehrrin e saj për kanosje.
Sipas informacioneve të para, babai i ish burrit të saj, B.B., ka shkuar në shtëpinë e të fejuarit të 26-vjeçares, ku është takuar me vjehrrin e saj, me ç’rast ia ka thënë disa fjalë për të, duke përmendur edhe periudhën kur viktima me djalin e tij kanë qenë të martuar.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari i ka thënë vjehrrit të ish-nuses se “po merrni një vajzë që ka qenë me djalin tim, i kemi ble ari 10 mijë euro”, e po ashtu edhe fjalë të tjera, që e kanë shqetësuar viktimën në masë të madhe.
Përballë kësaj situate, ajo e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar atë se çka kishte ndodhur. Si rezultat i raportimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është iniciuar rasti si “Kanosje”.