Plagosja në Shtërpcë, ja çka gjeti Policia në vendin e ngjarjes

Janë plagosur dy persona, njëri 11-vjeç e tjetri rreth 21, mbrëmjen e së premtes, në Shtërpcë, nga një i dyshuar kosovar. Ky ishte informacioni i parë i komunikuar nga Policia e Kosovës, e cila më tej, bëri të ditur se dy të plagosurit kanë pranuar tretman mjekësor, pasi janë dërguar me autoambulancë në Graçanicë.

Për këtë akt, Policia njoftoi se ka arrestuar Azem Kurtajn si i dyshuar për plagosjen e dy të rinjve. Arma e të dyshuarit ishte konfiskuar dhe njëherit, edhe vetura.

Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet se në vendin ku është kryer plagosja është gjetur 1 gëzhojë. Ndërsa në afërsi të rrugës së Brezovicës janë gjetur 9 gëzhoja.

Dy të plagosurit me nacionalitet serb janë operuar dhe se janë jashtë rrezikut për jetë. 11-vjeçari kishte marrë plagë në krah kurse 21-vjeçari në shuplakë të dorës.

Politikanët në Kosovë kanë bërë thirrje për ruajtje të qetësisë dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin e dy personave të plagosur.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga organet e drejtësisë ta trajtojnë me urgjencë rastin e dy personave që u plagosen mesditën e së premtes në Shtërpcë. Osmani e ka konsideruar si akt të patolerueshëm plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë, ndërsa ka thënë se autori duhet të vihet para drejtësisë.

“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar plagosjen e dy qytetarëve në Shtërpcë mesditën e së premten, duke thënë se i dyshuari do të përballet me organet e drejtësisë. Kurti u ka uruar shërim të shpejtë dy të plagosurve, derisa ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të rastit.

“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, ka shkruar Kurti.