Ekskluzive: Kjo është 18-vjeçarja dhe katër burrat e arrestuar në Gjakovë për trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale

Një hetim intensiv disa mujor i Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore ka rezultuar me identifikimin e disa personave të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikim me njerëz”, të cilët u zbuluan nga Policia dhe u arrestuan gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Kush janë katër të arrestuarit, një shtetase e Shqipërisë si e dyshuar kryesore dhe katër kosovarët e dyshuar? 

Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Marsita Jupën, 18-vjeçare, e cila tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, kurse të dyshuarit e tjerë janë GJ.Nrecaj, V.Demaj, B.Demaj dhe D.Rama, që janë lënë të lirë nga Prokurori i Shtetit. 

Sipas burimeve nga Prokuroria, viktima e trafikimit është një 19-vjeçare, po ashtu shtetase e Shqipërisë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit. 

Aksioni është zhvilluar nga disa njësi rajonale të Policisë, në koordinim me Prokurorinë, me ç’rast të dyshuarit janë kapur në flagrancë, si dhe është sekuestruar një telefon, si dëshmi për rastin. 

Të dyshuarit do të hetohen për veprat penale “Trafikim me njerëz” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”. 

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.