Çeku: Rikthimi i Limajt në PDK do të ishte mirë edhe për të edhe për PDK-në

Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar me shkuarjen e dy udhëheqësve të saj, Hashim Thaqi e Kadri Veseli në Hagë.

Por sipas Çekut, ka një përpjekje të votuesve të kësaj partie për rikthim sa më të fortë, në mënyrë që siç tha ai të mbrojnë trashëgiminë e tyre pra vet shtetin e Kosovës

“Partia Demokratike e Kosovës është e lënduar, e lënduar me shkuarjen e dy udhëheqësve të saj kryesorë por ka një përpjekje e shoh se votuesit e PDK-së, kërkojnë që PDK të ringjallet, të rikthehet dhe sa më e fortë të jetë e mundur dhe të mbrojmë kauzën tonë edhe në Gjykatën Speciale edhe trashëgiminë tonë të luftës tonë çlirimtare, që është shteti në radhë të parë. Kështu që unë mendoj që do të rikthehet PDK-ja”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Kurse i pyetur se rikthimi i PDK-së, a do të nënkuptonte edhe kthimin e Fatmir Limajt në këtë parti, Çeku i cili ka qenë edhe kandidat i PDK-së për kryetar të Prishtinës, tha se kthimi i Limajt do të ishte mirë edhe për PDK-në, por edhe për vet Limajn.

“Partitë mund të mbesin vetëm nëse zgjerohen, i bashkëngjiten qoftë nëse e ka emrin Fatmir apo kush e di qysh… Është shumë i rëndësishëm, kishte me qenë mirë edhe për të por edhe për PDK-në”, tha ai.

Rikthimi i Limajt në PDK është përfolur që nga arrestimi i ish- udhëheqësve të kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nga Gjykata Speciale.

Për rikthimin e tij kanë folur edhe disa zyrtarë të PDK-së duke e vlerësuar si një gjë të duhur.

Por vet Limaj deri më tani nuk ka thënë se do të kthehet në ish-subjektin, ku ishte një nga figurat kryesore.

Ai ka bërë thirrje për një “Frontdemokratik”, për siç ka thënë ai ndaljen e kësaj qeverie.