‘Bojkoto produktet serbe’ – fushata që po bënë thirrje që të mos konsumohen prodhimet nga Serbia

Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe – Besa, besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj bën thirrje që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë.

Piraj në një intervistë për Telegrafin tha se qëllimi i kësaj fushate është që të vetëdijesohet qytetari i Kosovës, që të mos blejë produkte të cilat importohen nga fqinji verior.

“Kjo nismë nuk ka qenë e çastit, pasi kohë të gjatë unë kam bërë fushatë për të mos blerë produkte serbe. Por, kur ishte reciprociteti i targave, kur Serbia na kërcënonte, e kam ndjerë vetën shumë keq që ne vazhdojmë t’i blejmë produktet serbe e ata sjellin tanke në kufi. Më kujtohet shumë mirë edhe ambasadori rus kur erdhi në veri dhe i lavdëronte forcat serbe”, deklaroi Piraj.

Ai tha se për t’u bërë pjesë e fushatës nuk ka rëndësi partia politike së cilës i përket, por vullneti për të kontribuar.

“Neve nuk na intereson se çfarë partie politike i përket individi që dëshiron të bëhet pjesë e fushatës. Na intereson vetëm vullneti për të kontribuar”, tha ai.

I pyetur se pse erdhi rritja e importit nga Serbia, Piraj përmendi pandeminë COVID-19 dhe agresionin rus në Ukrainë si dy zhvillime që kanë çorientuar tregun.

“Ne kemi dalë nga pandemia dhe pastaj nisi lufta Rusi-Ukrainë, është krijuar një kaos në treg. Njerëzit kanë qenë të çorientuar, duke vrapuar pas vajit, miellit etj. Këtu ka ndikuar edhe propaganda se do të ketë mungesë të produkteve bazike e njerëzit kanë vrapuar për të blerë. nuk kanë pyetur se prodhim i kujt është. Kjo e ka bërë atë rritjen në vlerë të importit nga Serbia”, shtoi ai.

Afaristi Piraj tha se qytetari duhet të dijë të bëjë dallimin mes cilësisë së një produkti dhe shijes.

“Ka pasur njerëz që kanë dashur ta devijojnë fushatën duke thënë se prodhimet vendore kanë cilësi të dobët. Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar që të blihen produktet vendore. Ne konsiderojmë se vetë fakti se produktet e Kosovës eksportohen jashtë, janë shumë të mira. Qytetari duhet ta dijë një gjë – dallon cilësia e produktit dhe shija. Një produkt mund të jetë shumë i dëmshëm, por i shijshëm dhe anasjelltas”, tha Piraj.

Në fund, ai theksoi se prodhuesit vendorë në Kosovë janë të dëmtuar, kjo pasi sipas tij, në institucione udhëheqin njerëz që nuk e njohin ligjin për tregti të brendshme, duke favorizuar kështu prodhuesit e huaj dhe jo ata vendorë.

“Është situatë jo e mirë në Kosovë. Nuk dua t’i adresohem qeverisë aktuale, por në aparatin shtetëror nuk ka njerëz që janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë. Ne e kemi pasur një takim në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku kemi takuar një zonjë që ishte e autorizuar për përpilimin e ligjit për tregti të brendshme. Unë kam qenë ekstrem ekstrem i befasuar nga energjia e zonjës që në ligj me qenë gjithçka kundër nesh dhe mos me qenë tolerante aspak”, përfundoi ai. /Telegrafi/