Burri i dehur, shkakton telashe në familje, e rrah keq djalin e tij të mitur

Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gratë, por edhe anëtarët tjerë të familjes.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në fshatin Ngucat të Malishveës.

Sipas burimeve, 40-vjeçari kishte shkuar nën ndikim të alkoolit në shtëpi, ku kishte ofenduar me fjalë të rënda anëtarët e familjes e më pas kishte shpërthyer në dhunë fizike ndaj djalit të tij të mitur, të cilin e ka goditur me grushte. Si pasojë e dhunës, i mituri ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 40-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.