Aksidentet në trafik janë një ndër dukuritë më shqetësuese në vendin tonë. Ato zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve që rrezikojnë të gjithë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë. Si pasojë e shpërqendrimit dhe pakujdesisë të shoferëve, viktima në shumë raste janë edhe këmbësorët.
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë, ku një veturë ka goditur katër këmbësorë të cilët ishin duke kaluar rrugën.
Sinjali mëson se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, me ç’rast tre nga këmbësorët kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri nga ta është lënduar më lehtë.
Tre nga këmbësorët janë të moshave 16 dhe 18-vjeç, kurse njëri është 40-vjeçar. Që të gjithë janë dërguar për ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, por për shkak të gjendjes shëndetësore, dy nga ta janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërkohë, shoferi që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.