Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Edhe më shqetësuese e bën këtë dukuri fakti se në shumicën prej këtyre rasteve të dyshuarit janë të rinj, madje edhe të mitur, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se vetëm të shtunën, Policia ka zbuluar tri raste, dy prej të cilave në Prishtinë, e një në Prizren, ku të rinjtë janë kapur me armë ilegale.
Në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, Policia e ka kapur një 16-vjeçar, i cili dyshohet se ia ka dhënë armën e tij me gaz një mikut, me të cilën ky i fundit ka gjuajtur disa herë. Policia i ka gjetur gëzhojat në vendin e ngjarjes, që janë sekuestruar bashkë me armën, teksa ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për armëmbajtje pa leje.
Edhe në një lokacion tjetër në kryeqytet, zyrtarët policorë kanë kapur një të ri me armë zjarri. Sinjali mëson se i dyshuari u ndalua në rrugën “Bill Clinton”, ku pas kontrollit nga ana e Policisë, iu gjet arma me municion. I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit edhe ndaj tij është hapur rasti.
Kurse i dyshuari tjetër është ndaluar në Korishë të Prizrenit, në një pikë kontrolli ku po patrullonte Policia. Siç merr vesh Sinjali, të dyshuarit i është gjetur një armë gjuetie dhe disa thika. Armët që i mbante i dyshuari janë sekuestruar, por atij i doli telashe edhe me automjetin e tij, të cilin nuk e kishte të doganuar. Ndaj tij u morën masat e nevojshme dhe në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“