Familja në pushime, hajnat vjedhin 13 mijë euro para të gatshme e stoli ari në një shtëpi në Prizren

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Për një rast të tillë, që ka ndodhur në një shtëpi në rrugën “Indrit Cara Kavaja” në Prizren, Policia ka nisur hetimet pas denoncimit të pronarit, raporton Gazeta Sinjali.

Vjedhja dyshohet se është kryer në ditët e fundit, derisa familja nuk ishte në shtëpi, periudhë kjo që është shfrytëzuar nga hajnat, të cilët kanë vjedhur mijëra euro, para të gatshme e stoli të arit. 

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pronari ka deklaruar se për rreth 1 javë ka qenë në pushime me familjen e tij, por kur janë kthyer gjatë ditës së djeshme e kuptuan se shtëpia ka qenë cak i hajnave. Bazuar në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve policorë, hajnat kanë vjedhur 8 mijë euro cash, e 5 mijë të tjera stoli ari, që i kanë gjetur në dhomat e shtëpisë.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.