Një rast i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm te Klinika e Kirurgjisë Torakale, ku një pacient u hodh nga dritarja e katit të katërt të klinikës, por nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve. Gazeta Sinjali raportoi se Fadil Sinani, 56-vjeçar nuk arriti të mbijetojë dhe fatkeqësisht vdiq. Vdekjen e tij e kanë konfirmuar edhe nga SHSKUK, teksa Policia ka nisur hetimet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se ky rast është cilësuar nga Prokurori i Shtetit si “Vetëvrasje” , i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion.
Por si ndodhi rasti?
Lidhur me rastin ka folur drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, i cili njoftoi se nuk ka pasur ndonjë ankesë nga viktima, e as nga familjarët e tij. Ai tha se i ndjeri ka ardhur nga shtëpia, ku kishte qenë për vikend, pasi që një kohë po trajtohej në këtë klinikë.
“Nuk kemi pas asnjë ankesë as prej familjarëve as prej pacientit. Ai sot në mëngjes ka ardhë nga shtëpia pas vizitës është hedhur”, tha Kolgeci.
Ndërkohë SHSKUK përmes një njoftimi, bëri të ditur se janë marrë masat e nevojshme, por pacienti s’ka mbijetuar.
“…nga ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, është njoftuar se sot në orët e mëngjesit, një pacient është hedhur nga dritarja e klinikës. Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e ndihmës mjekësore, por përkundër masave reanimatore dhe ndihmës së vazhdueshme nga stafi i Klinikës Emergjente me mjekë konsultantë nga klinikat e tjera, për shkak të plagëve, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë,” thuhet në njoftimin e SHSKUK.