Moti për 5 ditët e ardhshme, paralajmërohen vërshime

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar motin për ditët e javës së ardhshme.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se të hënën do të mbajë mot i vranët dhe në disa vende do të ketë riga të dobëta shiu.

“Të martën, mot me vranësira të dendura dhe mjaft dinamik, i shoqëruar me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë. Në shumë pjesë të Kosovës, kryesisht pjesët veriore dhe perëndimore rrezikohen nga vërshimet”.

“Të mërkurën, mot kryesisht i vranët dhe me riga të dobëta shiu. Grafiku në fushat termike do të shënojë vlera të larta të temperaturave, dukshëm mbi vlerat e mesatareve. Të enjten, mot i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë. Nuk përjashtohet mundësia të kemi vërshime në shumë vende, kryesisht në pjesën veriore, veriperëndimore dhe perëndimore të Kosovës”.

“Të premten, mot i vranët, reshjet e shiut do të dobësohen dukshëm në gjithë territorin e vendit. Në fundjavë parashihet të ketë masa të ftohta të ajrit me origjinë nga veriu i kontinentit, gjë që do të ndikojë dukshëm në uljen e temperaturave në të dy vlerat ekstreme. Reshjet e parashikuara për fundjavë, parashihen të jenë në formë dëbore”, thuhet në njoftim.