Një shtetas turk e zë sherri në Studençan, pronari nuk pajtohet ta ndërpres bashkëpunimin, përfundon në polici

Mosmarrëveshjet mes punëdhënësve dhe punëtorëve janë raste goxha të shpeshta në vendin tonë dhe kryesisht ndodhin për shkak të pagës, Apo konflikteve që lidhen me çështje financiare. Për një rast të tillë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prizren, pas denoncimit të një shtetasi turk, mëson SuharekaExpress.

Shtetasi turk që ka raportuar rastin ka qenë punëtor në një kompani në Studençan të Suharekës, i cili është kapur me pronarin M.M., pasi s’ishin marrë vesh që të vazhdojnë bashkëpunimin më tutje. Viktima, i cili kishte ardhur nga Turqia për të punuar në këtë kompani, kishte kërkuar nga punëdhënësi që t’ia rezervojë biletën për t’u kthyer atje.

Por ai u përball me refuzim dhe fjalosje, e për pasojë aty plasi sherri. Në konflikt u përfshi edhe një person tjetër, i afërm i pronarit, i cili e ka sulmuar fizikisht shtetasin turk, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima vendosi të largohej me shpresën që do të gjejë ndonjë zgjidhje pasi kishte mbetur në rrugë. Ai u has në mes të autostradës nga Policia, që e mori dhe e dërgoi në Emergjencë për trajtim mjekësor.

Pas përfundimit të tretmanit, i njëjti ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për incidentin që ka pasur dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë intervistuar edhe pala tjetër. Ndaj tyre është iniciuar rasti për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.