Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet. Jo rrallëherë ndodhë që viktimat të jenë edhe vajzat e mitura.
Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur së fundi në fshatin Gjinoc të Suharekës, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktimë në këtë rast është një vajzë 12-vjeçare, babai i së cilës ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se vajza e saj është futur në automjetin e të dyshuarit posa ka dalë nga shkolla.
Raportimi i prindit ka aktivizuar Policinë të cilët kanë dalë në terren dhe kanë hasur në veturën në fjalë, brenda së cilës kanë gjetur të miturën bashkë me të dyshuarin dhe më pas që të dy janë shoqëruar në stacion për intervistim.
Bazuar në dëshminë e 12-vjeçares, gjatë kohës që ishte bashkë me të dyshuarin, ky i fundit e ka puthur viktimën.
I dyshuari i cili po ashtu është i moshës së mitur, është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Sulm seksual’.