Prizrenasi dyshohet për dhunë në familje, ia futi gishtat në sy bashkëshortes së tij

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në një familje në rrugën ‘Sezair Surroi’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se 46-vjeçari dyshohet se pas një konflikti verbal, ka sulmuar fizikisht viktimën duke ia futur gishtat në sy. Si pasojë e kësaj, 38-vjeçarja ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.