Linku ku mund të shikoni se sa është shuma e subvencionuar për kursim të rrymës

Mbi 76.8 milionë euro është subvencionimi i tarifave të energjisë elektrike nga Qeveria e Kosovës për qytetarët nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022.

“Subvencionimi mundësoi që të jemi vendi me çmimin më të lirë të energjisë elektrike në rajon dhe Evropë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Kështu ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, e cila ka theksuar se në këtë shumë nuk janë llogaritur subvencionet shtesë për kursimin e energjisë.

Ministria e Ekonomisë ka ndarë edhe linkun ku qytetarët mund të shikojnë se sa është shuma e subvencionuar për orëmatësit e tyre për muaj të caktuar.

Kjo mund të bëhet në këtë link: https://subsidy.kesco-energy.com/

Në këtë link, në rubrikën e parë duhet të zgjidhet distrikti (rajoni), në të dytën duhet të shënohet shifra e konsumatorit të cilën e gjeni në fillim të faturës së rrymës ndërsa te e treta duhet të zgjidhet periudha e faturimit.

Pasi të shënohen këto të dhëna, duhet të klikohet butoni ‘kërko’.

Në ekran më pas do të shfaqen të dhënat e totalit të faturës, vlerën e faturuar dhe atë të subvencionuar.

Prej Qeverisë nuk është bërë ende e ditur se sa do të zgjas periudha e subvencionimit.

Në fund të muajit dhjetor, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi për familjet që kanë kanë kursyer energjinë gjatë muajit nëntor.

Ai bëri të ditur se për muajin nëntor 2022, gjithsej 180,276 familje kanë plotësuar kriteret për subvencionim gjersa ka thënë se për ata që kanë kursyer rrymën gjatë muajit dhjetor, subvencioni do të procesohet në muajin e janar 2023.

Në shtator të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar për pakon e re për ta përballuar inflacionin. Ai kishte bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë qytetarët të cilët kursejnë rrymën elektrike.

Ishte thënë se qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovatë në shtatorin e vitit 2021 ndërsa në shtatorin e vitit 2022 ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%).