Dhuna në familjet kosovare është një dukuri mjaft shqetësuese. Përveç rasteve ku gratë sulmohen nga bashkëshortët, shpesh ka telashe edhe mes anëtarëve të tjerë të familjes. Nuset, vjehrrat e kunatat jo rrallëherë përfshihen në konflikte që përcillen me ofendime e të shara e kërcënime dhe eskalojnë edhe në dhunë fizike ndaj njëra-tjetrës, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur të dielën në një familje në rrugën “Fan Noli” në Ferizaj, ku dy gra (kunata) janë përfshirë në një përleshje me njëra-tjetrën.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ndodhi në shtëpinë e tyre, ku pas një konflikti verbal, njëra prej tyre ka sulmuar tjetrën fizikisht, çka ka bërë që të ndërhyjnë edhe anëtarët tjerë të familjes.
Si pasojë e lëndimeve që ka pësuar, gruaja që u sulmua është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj gruas së dyshuar dhe ndaj saj kanë nisur hetimet.