Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Dubravë të Suharekës, ku persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri që dyshohet se është e llojit kallashnikov.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 24-vjeçar, i cili ka bërë me dije se të dyshuarit kanë gjuajtur me armë në shtëpinë e tij, gjë e cila ka trazuar banorët.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.