Vjedhjet e shumta nëpër shtëpi, biznese e lokale të ndryshme përveç pasigurisë, po shkaktojnë edhe humbje të mëdha. Por jo gjithmonë hajnat kapen, pasi arrijnë t’iu ikin prangave të Policisë, duke qëndruar në arrati. Një rast i tillë i vjedhjes së rëndë ka ndodhur para një muaji në Suharekë, por të dyshuarit kanë qëndruar në arrati kapur deri dje kur u kap njëri prej tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti kishte ndodhur më 3 shkurt, kur dy persona kishin arritur të vjedhin pije alkoolike dhe çokollata në qendrën “Ben Af” në vlerë të rreth 200 euro. Si rezultat i denoncimit, Policia kishte nisur hetimet, që rezultuan me identifikimin e të dyshuarve.
Siç mëson Sinjali, njëri prej tyre bëhet fjalë për F.F., 22-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë”.
Ndërsa i dyshuari tjetër, P.V., ndodhet akoma në arrati dhe Policia po vazhdon kërkimet për arrestimin dhe ndalimin e tij.