Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vite më parë ishte edhe kryeministër i vendit, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, lidhur me çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj i është referuar demarkacionit si ‘kopili te dera’, duke thënë se i është dashur me doemos të merret me të.
“Paska folur Gazmend Muhaxheri edhe një herë për demarkacionin duke ma ngarkuar në qafë veç mua. Ani se populli thotë “gjuha prej tuli është”, zoti Muhaxheri duhet ta dijë se kur ta lënë “kopilin te dera”, duhet të merresh me të, e ai e di më mirë se kushdo tjetër se kush na e la kopilin e demarkacionit te dera”, shkroi ai.
Ai u shpreh se në kohën e qeverisjes së tij ka rikthyer demarkacionin në procedurë korrigjimi, me pajtim të Malit të Zi.
“Unë dhe partia ime, duke qenë krejtësisht vetëm në këtë temë, kemi bërë aq sa ka qenë e mundur, duke e rikthyer demarkacionin në procedurë korrigjimi, kjo duke e siguruar edhe pajtimin e Malit të Zi. Mirë do të ishte të flasë për ata që e kanë gatuar edhe asociacionin edhe demarkacionin, e jo ta drejtojë gishtin nga ata që janë mundu ta ndreqin edhe të pandreqshmen”, shkroi tutje Haradinaj.
Ndryshe, i pari i Pejës, Muhaxheri, ka thënë se kemi dy parti, VV dhe AAK, të cilat sipas tij, që nga viti 2016 e kanë dëmtuar vendin me tema fiktive, me Asociacion dhe demarkacion, të cilat i kanë shndërruar në çështje për të mobilizuar masat.
Kujtojmë se Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës më 21 mars të vitit 2018.
Seanca e jashtëzakonshme e atëhershme në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit ishte zhvilluar nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.
Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës.
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.