Gjykata Themelore e Ferizajt ka vendosur që masën e paraburgimit t’ia zëvendësojë me atë të arrestit shtëpiak, ish-pjesëtarit të FSK-së Azem Kurtaj.
Siç raporton T7, Kurtaj është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore që po mbahet për rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë.
Plagosja e dy të rinjve serbë që ishin duke bartur pemë të Krishtlindjes në Shtërpcë ndodhi në janar.
Mbrojtja e Kurtajt, kishte insistuar se caktimi i paraburgimit për të u bë nën presion dhe se rastit iu dha karakter ndëretnik pa kurrëfarë nevoje.
Më 6 janar Policia e Kosovës njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.
Lidhur me rastin, në po të njëjtën ditë, PK-ja ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së.
Menjëherë pas arrestimit të tij, Prokuroria e Ferizajt kishte bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pjesëtarit të FSK-së.