Sqarim shtesë nga Peci për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në ambiente të mbyllura

Ministri i Bujqësisë,  Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci pas aksionit të sotëm kundër pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura, u ka bërë thirrje të të gjithë pronarëve të lokaleve afariste e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta respektoni ligjin.

“Aksioni i sotëm kundër pirjes së duhanit në ambiente publike ka filluar që nga Ministria e Bujqësisë e më pastaj kam kërkuar që të vazhdohet tek të gjitha institucionet shtetërore si objekti i Kuvendit të Kosovës, Objekti i Qeverisë, çdo dikaster qeveritar, agjenci si dhe ambiente publike, kafene, lokale, dyqane e të tjera ambiente të përcaktuara me ligj. Mbetem i përkushtuar që Ligji për Duhanin të zbatohet në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. “, ka shkruar Peci në Facebook.

Peci ka kërkuar sot nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka AUV, të merren masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, si dhe shtim të aktivitetit të inspektorëve sanitarë në teren, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë./