Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, është dëgjuar dëshmitarja Nurije Ademi, e cila ka mohuar se me të ndjerin A.B kanë pasur raporte jo të mira.
Sipas aktakuzës, M.A dhe R.A, po akuzohen për veprën penale vrasja e rëndë, se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa F.F për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e të akuzuarit M.A se a është e vërtetë nëse babai i saj dhe ajo personalisht nuk kanë pasur raporte të mira dhe për një kohë të gjatë as që nuk kanë folur mes vete, dëshmitarja Ademi ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk është e vërtetë.
Ajo ka thënë se babai i saj, Bajrami ka pasur raporte të mira me të ndjerin A.B para se të ndodhte rasti.
E njëjta ka mohuar se nga i ndjeri A.B ka pasur dhunë fizike, psiqike apo morale.
Në deklarimet e saj, Ademi ka treguar se babain e të ndjerit A.B, Avdi Bytyqin me telefon e ka njoftuar se A.B nuk gjendej në shtëpi dhe se për këtë ka kuptuar nga djali i saj, E.B.
Tutje, dëshmitarja Ademi ka mohuar se motra e saj, e akuzuara Bytyqi i kërkuar që ta telefonojë babain e të ndjerit A.B.
Në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të akuzuarit M.A, avokat Flurim Vertopi, dëshmitarja Ademi ka treguar se telefonatën e kishte bërë me telefon të akuzuarës Bytyqi, e që e njëjta ka qenë prezente në atë moment.
Në fund, dëshmitarja Ademi ka thënë se qëndron pranë deklaratave të dhëna në këtë gjykatë më datë 26 dhjetor 2017 dhe 21 tetor 2020.
Vërejtje në deklarimet e dëshmitares Ademi, ka paraqitur prokurori Nixha, i akuzuari M.A dhe mbrojtësi i tij, avokati Vertopi.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar edhe e dëmtuara Leonita Bytyqi, e cila ka treguar se raportet në familje kanë qenë të mira.
E njëjta, në cilësinë e të dëmtuarës ka parashtruar kërkesë pasurore juridike.
Vërejtje në deklaratën e saj, kanë paraqitur prokurori Genc Nixha, i akuzuari M.A dhe mbrojtësi i tij, avokati Vertopi.
Po ashtu, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar edhe i dëmtuari Avdi Bytyqi, i cili tha se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë më 26 dhjetor 2017.
I dëmtuari Bytyqi ka deklaruar se parashtron kërkesë pasurore juridike.
Ndryshe, në fillim të kësaj seancë, avokati Vertopi e ka dhënë fjalën hyrëse të tij, i cili aktakuzën e Prokurorisë e ka cilësuar si të paqëndrueshme dhe jo e mbështetur në prova.
I njëjti ka thënë se nga deklarimet e ekspertit të mjekësisë ligjore potencohet se tek organet e të ndjerit nuk është gjetur blozë e tymit, e që sipas tij këto prova do të argumentojnë se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij nuk është e qëndrueshme.
Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani lidhur me mungesën e dëshmitarit Naim Grulaj ka thënë se nga fletëkthesa konstatohet se i njëjti gjendet jashtë shtetit.
E për këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Fetiu, avokat Sefer Morina ka propozuar që përmes policisë të verifikohet nëse i njëjti gjendet në Kosovë apo jo.
Këtë propozim, e ka aprovuar gjykatësi Sejrani.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 21 mars 2023.