Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të takimit mes kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se kauza e rreme e Kurtit përfundoi sonte.

“Mashtrim dhe humbje e një mundësie historike – ky është epilogu i Kurtit si kryeministër në dialog. Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtē u zhbënë.  Përveç saj, një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndëruar si detyrim integrues për vendin tonë, është e pariparueshme më”, shkroi ai.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar për media pas përfundimit të takimit, ku ka bërë të ditur se palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes në mirëbesim.

“Qëllimi ishte që Kosova dhe Serbia të pajtohen se si ta zbatojnë marrëveshjen në takimin e fundit në Bruksel. Marrëveshja është arritur. Sot ishte se si të zbatohet. Të pajtohemi se si të zbatohet. Na duhen hapa konkretë, praktikë në atë se çfarë duhet të bëjmë, se si dhe kush, sepse shpesh thuhet se djalli fshihet në detaje, andaj na është dashur një agjendë dhe kemi biseduar 12 orë për këtë. Pas 12 orësh kemi një marrëveshje se si t’ia bëjmë. E them që Kosova dhe Serbia janë pajtuar në planin e zbatimit të marrëveshjes së arritur. Palët janë pajtuar që të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes në mirëbesim. Ishin negociata të vështira”, ka thënë Borrell.

Këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri Kurti, i cili tha se ka pasur pajtim publik mes palëve. Ai e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

TE FUNDIT