Varësia nga droga: Policia arreston në flagrancë dy të rinj në Suharekë, kapen me qese me marihuanë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar të hënën në Suharekë, ku një një njësi policore ka arrestuar dy të rinj në vendin e quajtur Biraq, ku u kapën në flagrancë me substanca narkotike. 

Sinjali mëson se te dy të dyshuarit E.J., dhe F.B., Policia gjeti dy qese me narkotikë, të llojit marihuanë, që dyshohet se e përdornin për konsum personal. Për shkak të posedimit të drogës, ata u futën në telashe dhe përfunduan në stacion policor. 

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me veprën me të cilën ngarkohen dhe pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit