Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, tha se qëllimi kryesor i të akuzuarve, që ai i quajti “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë dhe kolaboracionistë”.
“Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin. Personat e etiketuar kështu ndaloheshin në mënyrë arbitrare dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme. Katër të akuzuarit keqpërdorën postin e Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.
Ai vazhdoi të paraqiste komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, dhe theksoi se komunikata e parë është lëshuar në nëntor të vitit 1994.
Sipas tij, përmes komunikatave, UÇK-ja tregonte për sulmet, por edhe paralajmëronte ata që i konsideronte “tradhtarë” dhe “kolaboracionistë” dhe bënte thirrje për “vdekje tradhtarëve”.