Xhiro vendimtare në Superligë, luhet për titullin, Evropën dhe mbijetesën 

Jemi ardhur në fund të Albi Mall Superligës, ku deri në përfundim të sezonit 2022/23 kanë mbetur edhe dy xhiro.

Xhiro e 35-të zhvillohet e gjitha sot me ndeshje vendimtare që pritet të përcaktojnë fatin e skuadrave për titullin, Evropën dhe mbijetesën.

Vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar është në Suharekë, ku kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani pret Ferizajn.

Suharekasit janë të parët në tabelë me 69 pikë, dy më shumë se Drita dhe kërkojnë vetëm fitore deri në fund të kampionatit për ta mbajtur atë pozitë.

Ndërkohë Ferizaj do të udhëtoj drejt Suharekës për të marrë pikë, pasi asgjë deri më tani nuk ka të sigurt.

Drita në Gjilan pret Malishevën që gjithashtu po lufton për mbetjen në elitë dhe synon tre pikët me shpresën se Ballkani do të gaboj për t’u rikthyer sërish në krye të kampionatit.

Llapi e Gjilani pritet ta zhvillojnë një ndeshje shumë interesante, ku vendasit thuajse kanë humbur gjasat për Evropë, derisa Gjilanit i nevojitet një pikë për ta siguruar matematikisht vendin e tretë.

Interesant pritet të jetë edhe në Klinë me Dukagjinin që kërkon fitore për Evropën ndaj Trepçës ’89 që synon të marrë pikë pasi objektiv ka mbetjen në elitë.

Ndërkohë ndeshja e fundit është ajo mes Prishtinës dhe Drenicës me vendasit që pritet të marrin lehtësisht tre pikë ndaj kuqezinjve të rënë tanimë nga liga.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme fillojnë nga ora 15:00.