Faza grupore e Ligës së Kampionëve është ende larg për klubet kosovare të futbollit. Por jo e Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të kupave evropiane në futboll. Ballkani ka dëshmuar se mund të matet me ekipet tjera të Ligës së Konferencës. Dhe synon ta bëjë sërish këtë.
Pas suksesit në kampionatin e Kosovës, Ballkani i Suharekës synon suksese tjera në Evropë.
Ballkani të shtunën fitoi për herë të dytë rresht titullin e kampionit të Kosovës. Falë këtij suksesi, skuadra nga Suhareka do ta nisë rrugëtimin në Evropë nga faza kualifikuese e Ligës së Kampionëve. Në klubin e Ballkanit pranojnë se do ta kenë të vështirë përsëritjen e suksesit të edicionit të kaluar.
“Në Evropë edhe kundërshtarët e njohin më mirë Ballkanin, njohin ndeshjet e bukura dhe do ta kenë më vështirë. Synojmë ta përsëritim suksesin e edicionit të kaluar dhe ta mbushim stadiumin legjendar ‘Fadil Vokrri’, pasi nuk është krenari vetëm për klubin Ballkani, por edhe për gjithë Kosovën. Atje përfaqësojmë gjithë popullin. Atje përfaqësojmë gjithë futbollin tonë”, ka thënë Armend Thaqi të dielën për KOHËN. Ai është prej lojtarëve kryesorë të Ballkanit.
Ballkani është paraqitur vjet në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Madje ishte në garë për të avancuar edhe prej grupit. Në Ligën e Konferencës vazhdoi, pasi u ndal në kualifikimet e Championsit.
Thaqi bashkë me Meriton Korenicën dhe Albion Rrahmanin ka folur për KOHËN për suksesin e Ballkanit.
Mbrojtësi i krahut ka thënë se Ballkanin në Evropë do të jetë edhe më i fortë. Fillimisht fokusi do të jetë në Champions.
“E fituam vjet, sivjet e mbrojtëm, ndërsa është viti i dytë që marrim pjesë në garat e Evropës dhe duhet ta mbrojmë atë që kemi bërë vitin e kaluar. Deri në fazën e grupeve rruga do të jetë e vështirë, duhet të kemi fat edhe në short. Do të jetë më ndryshe, kemi përvojën dhe jemi pjekur si ekip për atë nivel garash. Jemi më të organizuar se vitin e kaluar”, është shprehur Thaqi.
Përtej fazës së grupeve
Paraqitja e denjë në Ligën e Konferencës dhe sukseset e tjera gjatë vitit, bëjnë që sulmuesi i krahut, Meriton Korenica, të besojë se Ballkani mund të arrijë sukseset e edicionit të kaluar në Evropë.
“Besoj se do të kemi sukses edhe në sezonin e ardhshëm duke ditur se kemi ekip të mirë dhe cilësor, ku luajmë për njëri-tjetrin dhe ato që na thotë trajneri. Por, do të jetë vështirë, pasi në Evropë nuk do ta kemi lehtë. Ne kemi përvojën dhe pse të mos synojmë edhe më shumë se faza e grupeve”, është shprehur Korenica.
Ai shënoi tetë gola në edicionin aktual. Deri në fund ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar. Korenica është i lumtur që me Ballkanin siguroi titullin të shtunën.
“Ka qenë një sezon shumë i vështirë duke ditur faktin se kemi pasur shumë ndeshje si në Evropë ashtu edhe kampionat. Ka qenë e vështirë ta mbrojmë titullin, pasi të gjithë luftojnë për ta mposhtur kampionin”, thotë Korenica.
Prej më të mirëve në rrugëtimin e Ballkanit ishte edhe sulmuesi Albion Rrahmani. Sulmuesi ka shkëlqyer në kampionatin aktual. Është bindshëm golashënuesi më i mirë i Superligës me 21 gola të realizuar.
Rrahmani e cilëson të merituar triumfin në kampionat.
“Ka qenë një nga edicionet më të vështira që kemi pasur deri tash marrë parasysh orarin e ngjeshur. Ka qenë e vështirë, por kemi luftuar me mish e shpirt për të arritur këtë trofe. Ia dolëm me shumë sukses të gjithë që jemi aty, stafin që ka bërë punë të madhe. Edhe presidenti i klubit Arsim Kabashi na ka qëndruar pas me punën e palodhshme. Duke ditur kualitetin e klubit natyrisht që kemi luftuar për ta mbrojtur titullin kampion. Të gjithë e kemi dashur dhe ia kemi dalë. Ky trofe shkon për tifozët e Suharekës dhe mbështetësit tanë në gjithë Kosovën”, ka thënë Rrahmani.
Sulmuesi pranon se do të jetë e vështirë përsëritja e suksesit të edicionit të kaluar. Megjithatë, ka besim.
“Patjetër që do të jetë e vështirë, por ta shohim, pasi me punë, angazhim, disiplinë mund t’ia dalësh. Ta përsëritësh suksesin është ndjenjë e veçantë, pasi ka qenë suksesi më i madh që ka pasur një ekip nga Kosova dhe shpresoj ta përsëritim prapë ashtu siç e përsëritëm me mbrojtje të titullit”, ka thënë Rrahmani. Pas paraqitjeve të mira me Ballkanin, Albioni mori ftesë nga përfaqësuesja A e Kosovës.
Shpresat e kapitenit Kuç
Me suksesin e Ballkanit mburret edhe kapiteni Edvin Kuç. Pas ardhjes së tij nisi shkëlqimi i ekipit suharekas.
“As vet nuk e di sa ndeshje kemi luajtur. Kemi kaluar edhe krizën e rezultateve dhe në momentet e rëndësishme kemi treguar karakterin dhe me plot meritë kemi mbrojtur titullin. Tash nuk mendojmë tek Evropa. Na duhet pushim dhe falënderojmë presidentin Arsim Kabashin, trajnerin dhe bashkëlojtarët e po ashtu edhe tifozët ‘Xhebrailat’”, ka thënë Kuç.
Edhe Qëndrim Zyba pret të shkojnë larg në garat evropiane.
“Për neve ka qenë një rrugëtim i gjatë, pasi kemi bërë 54 ndeshje. Ka qenë sezon i vështirë por ia kemi arritur synimit që kemi dashur të shpallemi kampion. Synimi tani është të bëjmë edhe gjëra më të mëdha, pse jo të shkruajmë tjetër histori pas suksesit që e arritëm sezonin e kaluar duke marrë pjesë në fazën e grupeve”, ka thënë Zyba.
Ndonëse në Evropë luajti larg Suharekës, Ballkani fitoi respektin e gjithë vendit. Përkrahja nga tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku skuadra kampione i zhvilloi ndeshjet evropiane si vendëse, nuk i mungoi. Mbështetje të njëjtë te Ballkani presin edhe në edicionin e ardhshëm.
Ballkani ka zhvilluar garë të fortë me Dritën për titull të kampionit. Ka kaluar një krizë të gjatë rezultatesh më herët këtë vit dhe shfaqi më shumë në ndeshjet e fundit. Ndërkohë, Drita humbi ritmin në xhirot e fundit dhe po ashtu garën për kampion. Meritor për suksesin e madh të Ballkanit vlerësohet edhe trajneri Ilir Daja. Tiranasi ka drejtuar skuadrën drejt dy titujve dhe rrugëtimit historik në Evropë. Tjetër rrugëtim, që shpresohet të bëhet historik, Ballkani nis pas disa javësh. Por fillimisht e ka një ndeshje, e më pas lojtarët kanë pak ditë për pushim të merituar.