24 vjet nga masakra në burgun e Dubravës, ky është rrëfimi i të mbijetuarit nga Suhareka

Në pranverën e vitit 1999 në Burgun e Dubravës është kryer njëra nga masakrat më të mëdha kundër ish të burgosurëve politikë (shqiptarëve të Kosovës) nga ana e regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Pushteti serb në muajin maj organizoi një krim të planifikuar mbi të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës.

Ky burg gjatë luftës së fundit në Kosovë përdorej edhe si vend strehimi i forcave policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë.

E, meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohej ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sollën të burgosur politikë shqiptarë. Qëllimi i tyre ishte që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Njëri nga ata që e përjetoi këtë masakër ishte edhe Ukë Thaçi nga qyteti i Suharekës.Ukë Thaçi

Ai rrëfen disa nga përjetimet e tij të rënda, duke filluar nga momenti kur ra në duart e forcave serbe, e deri tek momenti i ekzekutimit të 160 të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës.

“Edhe pse nuk ju besoj këtyre (besëtytnive) por, nga ato që jam frikësu, ato më kanë gjet”, kështu e filloi rrëfimin e tij Thaçi.

Ai u helmua nga helmet kimike dhe ky ishte momenti që ra në duar të policisë serbe.

“Jam frikësu që mos të bij në duar të policisë serbe dhe mos të më rrokin helmet kimike, pasi vet kam qenë vëzhgues i helmeve dhe atomeve kimike në ushtrinë Jugosllave dhe e kam njoftë atë lëmi. Kështu që nën ndikimin e atyre helmeve ramë dhe na bën kurban që të biem në duar të tyre.

Pasi rash në duar të tyre, vjen hetuesi dhe po shan. Masi ka kaluar nja tre – katër herë më ka vërejt dhe në gjuhën serbe tha ‘ej shpirt ty po të kërkojmë, hajde me i identifiku njerëzit këtu’. Kjo ishte e tmerrshme. Dhe në shqip i thash ‘këtu nuk ka njerëz, unë qe ku jam’. Na dërguan në Prizren, filluan hetimet”, tregoi ai.

I pyetur se për çfarë akuzohej, ai shkurt tha “për terrorizëm”.Ukë Thaçi gjatë rrëfimit për Telegrafin

Përjetimet e rënda në paraburgimin e Prizrenit, pas bombardimit të parë të NATO-s në Kosovë mbi forcat serbe

Thaçi gjatë rrëfimit u ndal pak te tmerri (dhuna fizike) që përjetoi për 40 minuta rresht. E, për t’i mos mjaftuar policisë serbe vazhduan edhe për disa minuta tjera t’i gjuanin me shqelma në kokë.

“Prizreni ka qenë i tmerrshëm, por e tmerrshme ka qenë më shumë kur kanë kris bombardimi i 24 marsit. Atë natë i kanë largu të gjithë gardianët shqiptarë. Gardianët në ambientet e burgut nuk i mbajnë revolet, dhe të nesërmen në mëngjes veç kur i pash revolet, automatik dhe po thonë ‘tash e tutje nuk flet palica (shkopi), por vetëm plumbi”, tha ai.

“Më 27 prill më erdhi vazhdimi i aktakuzës. Erdhën dhe më thanë ‘hajde ti, ke lyp luftë, ke gjet luftë’. Katër vetë… me çizme na ranë ne dyve, kah mujshin e sa mujshin. Me thënë një orë është shumë, por 45 minuta po. Na hodhën brenda në dhomë dhe aty ka dy – tre palica, kush ishin në dhomë.

Ndërkohë, i kisha disa ampicilina që mi kishte dhënë një gardianë, i kam pi tre që t’i shpëtoj temperaturës së kokës….Pas 15 minutash kanë ardhur dhe njëherë”.Ukë Thaçi gjatë rrëfimit për Telegrafin

Dërgimi në Burgun e Dubravës dhe muri i gjallë i formuar nga gardianët serbë

Suharekasi u shpreh se pas dy ditësh ju thanë që do t’i çojnë në Dubravë.

“Më hoqën nga aty dhe më çuan me më mbyt në Dubravë. 80 veta na kanë shti në autobus. Në momentin që na kanë shti në autobus, njëri tha ‘veç pak nëse e çoni kokën, do t’ju qëllojmë në ballë’.

Kaluam, se dinim ku po na çojnë. Kur në hyrje të Dubravës, një lëndinë ka qenë e mbushur me bagëti. Kur kemi hyrë brenda, (është një rrethojë para se të hyjmë tek burgu), aty kishte pasur bar të shkarkuar…autobusët që kishin ardhur para nesh nga Nishi po shkarkohen. Dhe ne i pamë nga autobusi, se kush po del në derë të autobusit asnjë s’po mund të ecë”.

Për gardianët serbë, Thaçi tha se kishin disa drunj nëpër duar dhe kishin formuar tunelin, apo murin e gjallë.

“I merrnin drutë, (që i kishin këmbëzat e traktorit për sanë), dhe thonin ta bëjmë tunelin nga aty. Nja 100 metra a 200, një gardë plotë policë – dhe ne me ecë aty. Nga dy anët kush mundet me qëllu”.

Thaçi tregoi se i drejtuan në pavijonin B, i cili siç theksoi se “pavijoni i zinte diku 300 veta”.

“Në dhomë kam qenë vetë i dyti. Një Sherif Hamza prej Mushtishtit kishte pas zanat mem trajtu se isha krejt ‘xhepa-xhepa’. Mem rehabilitu pak. Ndërkohë, po pres mem ardh mem ngjesh…Ne kemi shku më 30 prill, e masakra ndodhi më 19 maj edhe unë po e pres, dhe kur ka hy më tha ‘ej i ra NATO pavijonit numër 1’. Atje kanë qenë të mbyllur ata”.

Bombardimet e NATO-s mbi Burgun e Dubravës dhe qëllimi i paramilitarëve serbë për ekzekutimin e të burgosurve shqiptarë

Ai u shpreh se aeroplanët e NATO-s kishin gjuajtur mbi pavijonin ku kishte të burgosur shqiptarë. Thaçi tha se aty mbetën të vrarë tre persona.

“Ata kanë gjujt aty…Në momentin që ka gjuajt në atë pavijon, u kthy aeroplani për së dyti me një raketë në pavijonin e dytë, e ne ishim në pavijonin e tretë. E kanë ardh, na i kanë çel dyert të burgosurit ordinerë.

Në shkuam atje me i pa granatat e kur shkojmë…tmerr ulërijnë njerëzit, i qesim jashtë, tre u vranë aty”, tha ai.

Pasi disa mbetën të plagosur, Thaçi tha se Bislim Zogaj dhe grupi i studentëve të Prizrenit, e luanin rolin e mjekut.

Tutje Thaçi tha se masakra ka filluar në ditën e lirimit të Ukshin Hotit.

“…në praktikën e mëhershme nuk është liruar askush në ditë pushimi. Dhe atë e kanë liruar dhe sot nuk dihet asgjë. Kur ka dal me atë thesin me plaçkat e tij, me libra e ka përcjell Branko Komatiç…

Ai tha se po atë ditë kur liruan Ukshin Hotin, gardianët dhe ordinerët serbë u mobilizuan. “Ata i qitën maskat në kry dhe automatikun me komandu me neve. Harronin që tatuazhet që i kishin disa i njofshin.

Ata i vendosën mes një hapësirë në Burgun e Dubravës, e cila gjendet mes mensës dhe ngrohtores”.

“Po na qesin mes një hapësire, në burgun e Dubravës, mes mensës dhe një qendre ku bën ujë të nxehtë mu la, d.m.th mes atyre. Ka ardhur një aeroplan dhe po gjuan në kry të grupit tonë, ai që e ka çu kokën e ka kosit ajo…ndërkohë po vjen një aeroplan tjetër, me këqyr tash me kënd është Zoti: a me ne, a me ata kriminelë serb?”.

Pusetat i kishin bërë si vend për t’u fshehur, mirëpo çka ndodhi aty?

“Pusteta zinin dy – tri veta apo edhe 10 – 20 veta qaq të mëdha ishin. Por, kur hynin dhe e panë ku po fshihemi, i çelnin kapakët dhe e lëshonin granatën e dorës.

Ne e shkulnim barin që mos ta shihnin që ka aty kapak të pusetave. Ka ndodh që kemi hy mes gypave të mëdhenj për me u fsheh, unë vetë kam hy dhe shumë tjerë. Sa që po më thotë një i Bllacës, ‘dil nga aty se me të mbyt s’mund të gjejnë…’ “, vazhdoi rrëfimin Thaçi.

Më 22 maj, Thaçi tregoi se i kanë thirr që të shkojnë te fusha e sportit dhe qëllimi i tyre ishte ekzekutimi i të burgosurve shqiptarë dhe fajin t’ua lënë sulmeve të NATO-s.

Ai tha se aty u bë një katrahurë.

“Po thirrin te fusha e sportit, më 22 maj, ‘hajde po ju çojmë diku tjetër se s’ka siguri këtu, dhe bëhuni rresht për katër më afër murit. Kur na bën rresht, kanë dal prej karakollit. Vrojtuesit me zollë dhe me granata drejt nesh. …tash kur kanë rënë ato, në momentin që ka kris granata krejt ata mas mureve po gjuajnë me bomba dore. Fluturonin granatat e dorës…u bë pluhur, piskam, e piskama e njerëzve që u vranin dhe zhurma e bombave, aty ishte një katrahurë”, tregoi tutje Thaçi.

“Isha në rreshtin e parë…një i Bllacës po ma lyp një çantë. Po mendon që përnjëmend po shkojmë diku…kur dal mbrapa rreshtit që mos të më shohin andej, kur ka kris në atë moment kam ra përtokë. Ky Fazli Kabashi kishte rënë përmbi mu. Unë po mendoj që ai s’po don mu çu, se po tutet, e ai kishte pas vdek. Mua mu kanë ngatërru këmbët ndër të, dhe kur e kam nxjerr këmbën këpuca ka mbet ndër të…”, tregoi një nga momentet e rënda Thaçi.

Por, si shpëtuan që mos të ekzekutoheshin edhe shumë ish të burgosur të tjerë?

“Atë ditë na kanë thirr në sallën e sporteve…që s’ka me pas më kurrgjë. Dhe ndërkohë aty po u fusin 300 – 400 veta dhe po merr në lidhje drejtori i burgut…po e pyesin Nikolla Shahinoviçin ‘i kemi vra diku 300 veta çka me bo?’ Thotë ngritni numrin mbi 500… se ne aty kemi qenë 950 veta. Dhe dikush ju thotë që ‘këtë nuk guxojmë me bo’. Marrin dy steka me cigare dhe na thonë dilni gjenduni nga të mundni deri nesër, se nesër ju çojmë diku tjetër”

Pas këtij tmerri, Thaçi tha se maltretimet i vazhduan edhe në burgjet e Serbisë.

“Neve na kanë çu në Nish, mandej na dërguan për tu dënuar në Pozharevc…gjyqi i Prizrenit ka shku me seli në Pozharevc…Në Nish ka qenë tmerri për ushqim. Për tre muaj ne s’kemi ditë çka d.m.th me qenë i ngopur. Për me dal në nevojë, kemi dal njëherë në 19 a 20, dhe kur kemi dal sikur leprat, se s’kemi pas çka me tretë”, tregoi ndër të tjera Ukë Thaçi ish i burgosur politik.