52 ndeshje nga muaji korrik | Ballkani nuk u lodh këtë sezon, kjo ishte ecuria e tyre e “stërngarkuar”, rezultati: Kualifikim historik dhe dy kupa!

Skuadra e Ballkanit ka fituar titullin kampion në Superligën e Kosovës në futboll për të dytin vit radhazi, duke përsëritur kështu suksesin e edicionit të kaluar.

Ekipi nga Suhareka tashmë ka fitaur titullin e dytë në histori të klubit dhe synon sërish rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë, ekipi i Ballkanit ka zhvilluar më shumë ndeshje se të gjitha skuadrat tjera kosovare këtë sezon, falë edhe kualifikimit historik të tyre në grupet e Conference League.

Nga muaji korrik i vitit 2022, deri në fundjavën e kaluar, FC Ballkani ka zhvilluar 52 ndeshje zyrtare dhe pavarësisht lodhjes që mund të kishin, ata nuk e treguan këtë në fushë, pasi në fund dolën të jenë të suksseshëm.

Ekipi i Ilir Dajës zhvilloi fillimisht dy ndeshje zyrtare kualifikuese për Champions League ndaj Zalgiris, ku edhe u eliminua, për të filluar më pas maratonën në kualifikueset e Conference League, ku luajti gjithsej gjashtë duele për të arritur historinë.

Në grupet e Conference League, Ballkani luajti gjashtë ndeshje, në Superligë deri tani ka zhvilluar 35, teksa në fundjavë do ta luajë edhe të fundit, në Kupë zhvilloi vetëm dy takime, pasi u eliminua nga Prishtina, teksa luajti edhe Superkupën në Turqi ndaj Llapit, ku fitoi me rezultatin 1:0.

Në 52 ndeshjet e luajta nga korriku, Ballkani fitoi kualifikimin historik, Superkupën e Kosovës si dhe ripërsëriti suksesin e madh, duke fituar sërish kampionatin që i bën ata kampion të Kosovës në futboll.