Presidenti serb, Aleksandar Vuççic, firmosi një urdhër për të vendosur në gjendjen më të lartë të gatishmërisë forcat ushtarake dhe i urdhëroi ato të zhvendosen menjëherë në drejtim të kufirit me Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç tha se urdhri ishte lëshuar pak pas orës 14:00, dhe se ushtria kishte nisur aktivitetet nga ai moment. Vuçeviç paralajmëroi se ngjarjet në veriun e Kosovës, ku siç tha qeveria po merr kontrollin e ndërtesave të qeverisjes lokale, nuk janë një lojë, por se po kërcënohet siguria e të gjithëve në rajon.
Siç theksoi, ushtria do të përmbushë plotësisht urdhrin e Vuçiç dhe do të mbrojë sovranitetin e Serbisë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj. “Eshtë e qartë se akte terrori po ndërmerren ndaj komunitetit serb në Kosovë”, ishte deklarata e Vuçeviç.
Tensionet janë shumë të larta në veri të Kosovës, në ditën kur kryetarët e rinj të katër komunave duhej të nisnin zyrtarisht punën. Situata më problematike është raportuar në Zveçan, që ka një popullatë shumicë serbe, ku policia e Kosovës është detyruar të përdorë gaz lotsjellës dhe bomba tymosëse për të shpërndarë qytetarët e grumbulluar pranë godinës komunale.
Më herët, policia e Kosovës njoftoi se po asiston kryetarët e rinj të Leposaviqit, Zubin Potokut, dhe Zveçanit që të hynin në objektet zyrtare të komunave përkatëse. Mediat raportojnë edhe për të shtëna me armë zjarri, ndërsa është djegur edhe një automjet i policisë së Kosovës.
Gjithashtu rreth mesditës janë dëgjuar edhe sirenat e alarmit në Veri të Kosovës, me shumë pjesëtarë të komunitetit serb që u tubuan për të mbajtur peng ndërtesat publike të komunave. Radio Evropa e Lirë raporton se disa kamionë janë parkuar duke bllokuar rrugët në hyrje dhe dalje të Leposaviqit. Në lëvizje janë vendosur edhe anëtarë të EULEX-it dhe të misionit të NATO-s, KFOR. Mbi Zveçan ka fluturuar dhe një helikopter i misionit paqeruajtës.