Tensionet në Zveçan, rreth 30 gazetarë shqiptar dhe serb ngujohen në një lokal

Rreth 30 gazetarë shqiptarë dhe serb kanë mbetur të ngujuar në një lokal në afërsi të objektit të komunës së Zveçanit, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha.

Sipas tij, serbët e maskuar janë duke hedhur bomba me benzinë ​​drejt forcave të NATO-s gjatë gjithë kohës.

“Me rreth 30 gazetarë, shqiptarë dhe serbë jemi ngecur në një kafe afër ndërtesës së komunës. Serbët e maskuar po hedhin bomba me benzinë ​​drejt forcave të NATO-s gjatë gjithë kohës”, ka shkruajtur ai në Twitter.

Ndryshe situatë e tensionuar po vazhdon të mbizotërojë në qytetin e Zveçanit.

Protestuesit serbë në këtë qytet kanë hedhur gurë në drejtim të trupave të KFOR-it, ka raportuar gazetari i Tëvë 1 nga vendi i ngjarjes.

Teksa, KFOR-i është kundërpërgjigjur duke hedhur tym në drejtim të protestuesve.