Gazeta britanike “The Guardian” ka raportuar për konferencën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot në Bratisllavë në kuadër të “Globsec”.
Siç shkruan mediumi britanik, Kurti ka thënë se është i hapur dhe i përgatitur për të konsideruar zgjedhjet e reja në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Këtë interpretim i “The Guardian” e ka nxjerrë nga deklarata e Kurtit gjatë konferencës ku ka thënë se nëse do të organizohen protesta paqësore në kërkim të zgjedhjeve të reja, atëherë serbët e kanë një kryeministër i cili do t’i dëgjojë e mbase edhe të pranojë kërkesën e tyre.
“Nëse do të kishte protesta paqësore për zgjedhje të reja, do ta kishin mirëkuptimin tim, por banda me shkronja Z që qëllojnë ushtarët e policë, që hedhin granata dhe që bëjnë thirrje për “vrasje”. Për bandat fashiste ne nuk e dorëzojmë republikën. Nëse ata dëshirojnë protesta paqësore për të kërkuar zgjedhje të reja, ata e kanë një kryeministër që ka më shumë se dëshirë për t’i dëgjuar dhe mbase për t’u pajtuar me ta”, ka thënë Kurti në këtë konferencë.