Gazeta Sinjali raportoi të premten për një rast të vjedhjes që ka ndodhur së fundmi në argjendarinë ‘Zefi Gold’ në rrugën ‘Brigada 123’ në Suharekë. Dy prej tyre tashmë janë dorëzuar në Polici, teksa Sinjali ka mësuar identitetin e tyre.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se të dy të dyshuarit që janë paraqitur vet në Polici janë Ahmet Uka dhe Avdurrahim Bedri, ndërsa i dyshuari tjetër Muhamet Hyseni, ndodhet akoma në arrati.
Të dyshuarit kanë arritur që në mënyrë tinëzare të futen në lokal dhe të vjedhin një çantë dore brenda së cilës kishte dy telefona celularë.
Pronari i argjendarisë e ka denoncuar rastin në Polici dhe më pas në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë.
Pas ekzaminimeve janë identifikuar të dyshuarit, të cilët kanë pranuar thirrje që të paraqiten në stacion policor.
Të njëjtat burime thonë se tre të dyshuarit janë emra të njohur për Policinë, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer edhe vepra tjera të ngjashme.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të dyshuarit që u dorëzuan janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shëndim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës se prerë nga Gjykata.