Djali sulmon me thikë babanë e tij në Prizren dhe ikë, nga arratia e kërcënon me jetë përmes SMS-ve

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në një familje në Prizren, ku një person dyshohet se ka sulmuar me thikë babanë e tij dhe të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 52-vjeçari ka refuzuar të marrë ndihmë mjekësore, teksa ka denoncuar rastin në Polici.

Bazuar në dëshminë e tij, i biri 26-vjeçar e ka sulmuar me thikë dhe më pas është larguar menjëherë nga shtëpia. Nga arratia, i riu dyshohet se i ka dërguar edhe mesazhe me përmbajtje kërcënuese babait të tij, duke i thënë se do ta vrasë nëse kthehet në shtëpi.

Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet 26-vjeçari.