Mbrëmjen e djeshme Gjakova u trondit nga një vrasje e dyfishtë, ku dy vëllëzërit Haxhi dhe Blerim Islamaj mbetën të vrarë.
Pas të shtënave me arme, njëri nga dy vëllezërit mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri vdiq gjatë rrugës për në spital.
Sipas raportit të Policisë, për këtë rast është arrestuar një mashkull Kosovar, të cilit i është konfiskuar edhe një revole dhe poashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe disa gëzhoja plumbi.
“Raportohet se në rrethana të panjohura person-a ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në dy viktimat meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër ka ndërruar jetë derisa ka qenë në drejtim të emergjencës, vdekjen viktimave e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Në vendngjarje kanë dalur njësitë përkatëse policore me ç’rast kanë sekuestruar disa gëzhoja. Në lidhje me rastin është identifikuar dhe arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, me ç’rast nga i njëjti është konfiskuar një revole.”, thuhet në raportin e PK-së.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion. Rasti është në procedurë hetimore.
Sipas raportimeve në media, ajo çfarë dërgoi deri tek konflikti i armatosur ishin mosmarrëveshjet pronësore./Gazeta10