Deputetja e LDK-së, Doarca Kica-Xhelili ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka arritur t’i bindë shumë qytetarë që tensionet në veri kanë të bëjnë me shtrirjen e sovranitetit.
Ajo ka thënë se LDK e ka pasur të qartë orientimin e qeverisë dhe ka shpresuar që gjatë rrugëtimit do ta shpërfaqte veten. Por, sipas saj, kjo gjë nuk ka ndodhur.
“Gjuha populiste ka arritur me përçu një mesazh fiktiv, që ajo që po ndodh në veri, ka të bëjë me shtrirjen e sovranitetit. Ne e kemi pasur të qartë se ku po drejtohet kjo qeveri, por kemi menduar se do ta shpërfaqë edhe veten. Duket se jo i gjithë populli e ka të qartë”, ka thënë ajo në DPT te Fidani.
Ajo ka thënë se në Kosovë mund të ketë qytetarë që e miratojnë edhe rrezikimin e aleancës me SHBA-në.
Kica-Xhelili është shprehur e shqetësuar për gjuhën e ashpër që Departamenti i Shtetit po e përdor ndaj Kosovës për shkak të përplasjeve me Qeverinë e Kosovës.
“Ka njerëz që mendojnë që është në rregull që ne ta rrezikojmë aleancën me SHBA-në dhe që s’e kemi vendin në BE. Si kurrë më parë SHBA po përdorë një gjuhë që ti barazohesh me Serbinë. Është hera e parë në historinë diplomatike të Kosovës që ne ballafaqohemi me një gjuhë të tillë”, ka thënë deputetja.
“S’duhet të harrojmë që Kosova është krijesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ajo.