Gruaja në Suharekë dyshohet se vdiq si pasojë e infarktit, i dyshuari dhe burri i saj u fjalosën pas aksidentit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Samadrexhë të komunës së Suharekës, ku një grua ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Rasti është konfirmuar edhe nga Policia, ku bëhet e ditur se është arrestuar personi i dyshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një aksidenti në komunikacion, ku dy shoferët e përfshirë më pas janë fjalosur mes vete.

Sipas burimeve të Sinjalit, gruaja e cila ishte pasagjere në njërën veturë, si pasojë e shqetësimit të madh që përjetoi, ka pësuar infarkt dhe më pas ka ndërruar jetë.

Sipas Policisë, i dyshuari ka shtyrë viktimën dhe më pas ajo është rrëzuar, mirëpo sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, ata nuk kanë pasur asnjë kontakt fizik mes vete.

Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, në një prononcim për Sinjalin tha se dyshohet që viktima nuk ka ndërruar jetë si pasojë e aksidentit.

“Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njera nga pjesmarreset ne aksident nga emergjenca eshte transportiar per ne QKMF ne Suharekë, rreth ores 21:54 ne QKMF mjeku kujdestar e ka vertetuar vdekjen e viktimes, femer 67-vjeçare. Nga mbledhja e deshmive nga vendi I ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka nderruar jetë si pasoj e lendimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen.
Dyshohet se I dyshuari pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe Jane fjalosur me palen tjetër, dhe ne nje moment e ka shtyre viktimen e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere ne automjetin tjeter të perfshirë ne aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit”. Me urdher te prokurorit kujdestar I njejti është ndaluar per 48 orë“, tha Bytyqi.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.