Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Samadrexhë në Suharekë, ku një grua ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Lidhur me këtë është arrestuar një person i cili dyshohet të jetë përfshirë indirekt në vdekjen e dyshimtë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Milazim Bugari, 51-vjeçar.
Bugari po voziste veturën e tij në gjendje të dehur dhe më pas i njëjti u përfshi në një aksident me veturën brenda së cilës ndodhej viktima S.K., 67-vjeçare.
I dyshuari dhe shoferi i veturës tjetër, pas aksidentit janë fjalosur mes vete, teksa sipas Policisë ai pati kontakt edhe me viktimën, për të cilën thonë se e shtyu.
Por sipas informacioneve që posedon Sinjali, e të cilat ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga organet e rendit, i dyshuari dhe viktima nuk kanë pasur asnjë kontakt fizik mes vete, por vdekja e të ndjerës dyshohet se erdhi si pasojë e shqetësimit të madh që përjetoi nga e gjithë kjo situatë.
Togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, tha për Sinjalin se i dyshuari nuk është intervistuar, pasi që ka qenë në gjendje të dehur në momentin e arrestimit, mirëpo ai është dërguar në mbajtje.
“Policia e ka trajtuar rastin e aksidentit, njera nga pjesmarreset ne aksident nga emergjenca eshte transportiar per ne QKMF ne Suharekë, rreth ores 21:54 ne QKMF mjeku kujdestar e ka vertetuar vdekjen e viktimes, femer 67-vjeçare. Nga mbledhja e deshmive nga vendi I ngjarjes dyshohet se viktima nuk ka nderruar jetë si pasoj e lendimeve nga aksidenti, por shkaqet e vdekjes deri me tani nuk dihen.
Dyshohet se I dyshuari pas aksidentit ka dal nga automjeti dhe Jane fjalosur me palen tjetër, dhe ne nje moment e ka shtyre viktimen e cila është rrezuar. Viktima ka qene pasagjere ne automjetin tjeter të perfshirë ne aksident. Pra deri me tani nuk dihen shkaqet e vdekjes, por prokurori kujdestar ka urdhëruar që të hapet rast ” Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari nuk është intervistuar sepse ka qenë nën ndikim te alkoolit”. Me urdher te prokurorit kujdestar I njejti është ndaluar per 48 orë“, tha Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/