Deputetja nga radhët e AAK-së, Albana Bytyqi i ka reaguar kolegut të Listës Guxo, Burim Meta, i cili ka ironizuar me mocionin e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke i thënë se “Guxo” nuk do ta kalojë as pragun në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Sipas saj, është qesharak vetëbesimi i Metës “i cili po harron se po të shkonin në zgjedhjet e fundit ndaras nga Vetëvendosje, do ta harronin pushtetin dhe do të na vëzhgonin nga televizori”.
‘’Po ia kujtoj këtij deputeti se disa sondazhe së fundmi tregojnë se po të mbaheshin zgjedhjet në vend, Lista Guxo del se do t’i merrte 1.3 për qind të votave. Kaq sa i përket pragut i nderuari z. Deputet. Në fakt, jemi ne ata që ndjejmë dhembshuri për ju dhe pritjet imagjinare që keni për veten dhe partinë tuaj! Shihemi në zgjedhje”, ka shkruar ajo në Facebook.
Meta, ndër të tjera ka shprehur “dhembshuri” me AAK-në, rreth mocionit të votëbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, pas zhvillimeve politike, transmeton Paparaci.
AAK-ja e Ramush Haradinajt tash e një kohë ka hedhur kritika dhe akuza ndaj Qeverisë Kurti.
Sipas tyre, kryeministri Kurti përmes veprimeve të fundit duhet të ndalet dhe rrjedhimisht, të largohet nga pozita që ai aktualisht mban.